Prokuroria po prodhon “skandale” për tituj mediash!

Para 10 muaj

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, u paraqit sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të hetimeve lidhur me funksionalizimin e fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.

Sipas burimeve mediatike, intervista zgjati rreth një orë e gjysmë. Bislimi, pas daljes nga Prokuroria, nuk u deklarua për mediat, por përmes një postimi në Facebook ndau disa reflektime për natyrën e pyetjeve dhe kontekstin e ftesës.

Ai theksoi se nuk ishte përballur me pyetje tipike për një dëshmitar dhe se informacionet që kishte ofruar mund të ishin mbledhur lehtësisht pa nevojën e një interviste formale.

“Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, shkroi ai.

Më tej, Bislimi sugjeroi se qëllimi i ftesës mund të ketë qenë krijimi i një narrative mediatike, duke vënë në pah praninë e madhe të mediave në objektin e Prokurorisë dhe kohën e publikimit të lajmit – që përkonte me takimin trilateral të dialogut në Bruksel.

“Qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’”, shtoi Bislimi, duke theksuar se një qasje e tillë e vendos Prokurorinë në një pozitë të vështirë në raport me besueshmërinë publike.

Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë publike mbi këtë zhvillim.