Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë, A.Sh dhe S.K, për veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Sipas aktakuzës, më 20 prill 2025 në fshatin Poterq të Klinës, dy të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve të njësisë së trafikut në Pejë, i kishin kërkuar një qytetari që të dërgonte më shumë se 20 euro në një pompë derivatesh në Pejë, me qëllim që t’i shmangnin shqiptimin e një gjobe për tejkalim shpejtësie.
Dëshmitari, punëtor në pompën e derivateve, kishte dorëzuar shumën e parave zyrtarit policor A.Sh. Prokuroria thekson se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Prokurori i çështjes ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe t’u ndalohet ushtrimi i profesionit.
