Prokuroria në Mitrovicë ndalon përkohësisht mjete motorike të përfshira në shkatërrim të mjedisit në Leposaviq

Para 11 muaj

Mitrovicë, 22 maj 2025 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka lëshuar një urdhër të përkohshëm ndalues për mjete motorike të përfshira në një aktivitet të paligjshëm mjedisor në fshatin Popovcë të komunës së Leposaviqit.

Sipas njoftimit zyrtar, më 20 maj 2025, i dyshuari S.V. është kapur duke kryer gërmime të paligjshme shkëmbore me makineri të rëndë dhe pa lejet e nevojshme ligjore për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar përkohësisht dy mjete motorike: një kamion i markës Volvo 380, ngjyrë e kaltër, me targa vendore, si dhe një bager Ulta 150 L, ngjyrë e verdhë, i cili ishte pa dokumentacion të nevojshëm.

Ndaj të dyshuarit S.V. është iniciuar procedurë penale për veprën “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë mjedisin, dhe do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht të gjithë ata që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët,” thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.