Ekipi i Bedri Hamzës ka përforcuar strukturën e tij me profesorin e njohur Gëzim Qerimi. Njoftimi u bë publik nga vet Hamza, i cili e mirëpriti Qerimin si një shtyllë të re profesionale dhe intelektuale në ekip.
Prof. Qerimi është profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës, me mbi 17 vjet përvojë në mësimdhënie universitare dhe 13 vjet përvojë në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes, duke sjellë një kombinim të veçantë të dijes akademike dhe përvojës praktike.
Ai është gjithashtu autor i shumë punimeve shkencore në revista ndërkombëtare dhe ka pasur përvoja udhëheqëse si lider studentor, duke formuar një profil të spikatur në fushën e arsimit dhe menaxhimit të sigurisë.
“Mirë se erdhe, Gëzim! Eksperienca dhe integriteti yt do të forcojnë ekipin tonë dhe do të kontribuojnë fuqishëm në objektivat tona,” shkruan Hamza në postimin e tij.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të ekspertizës dhe profesionalizmit brenda ekipit dhe pritet të sjellë ide dhe qasje të reja në projektet e ardhshme.
