Profesori universitar Ali Dula ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare, duke u bërë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje me numrin 70. Në një komunikim drejtuar qytetarëve, ai theksoi se vendimi për të hyrë në garë ka ardhur pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe angazhimi publik.
Dula u shpreh se ky hap përfaqëson dëshirën e tij për t’u afruar më shumë me proceset vendimmarrëse dhe për të adresuar sfidat e përditshme me të cilat përballen qytetarët. “Ky është një hap që e marr me shumë emocion, përgjegjësi dhe respekt për të gjitha historitë e njerëzve që kam njohur ndër vite,” theksoi ai, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij profesional dhe shoqëror.
Si pjesë e fushatës së tij, Dula deklaron se synon të jetë një zë i drejtpërdrejtë i qytetarëve në Kuvend dhe të punojë për të mirën e vendit, duke theksuar se angazhimi i tij mbetet i lidhur ngushtë me interesat publike. “Do të jemi gjithmonë bashkë për të mirën e vendit. Na priftë e mbara,” përfundon ai në njoftim.
