Një vajzë rreth 12 vjeçe ka ndërruar jetë në rrethana ende të panjohura në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Policia ka bërë të ditur se rasti është raportuar të enjten rreth orës 16:00, pasi viktima kishte vdekur në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë.
Sipas mjekëve, vajza ishte pranuar për trajtim më 17 dhjetor rreth orës 23:50, ndërsa kishte ndërruar jetë një ditë më vonë, rreth orës 15:55. Të gjitha njësitë relevante policore, përfshirë Njësinë e Hetimeve Rajonale, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si hetim i vdekjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
