Prishtinë: Hiqen frigoriferët e vendosur në mënyrë të paligjshme jashtë kioskave

Para 11 muaj

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se sot është realizuar një aksion nga Inspektorati i Kryeqytetit, gjatë të cilit janë larguar disa frigoriferë të vendosur në mënyrë të paligjshme jashtë kioskave.

Sipas Ramës, këto frigoriferë jo vetëm që nuk përmbushnin standardet higjieno-sanitare të përcaktuara me ligj, por gjithashtu pengonin lëvizjen e lirë të këmbësorëve në hapësirat publike.

“Hapësirat publike janë për qytetarë dhe shëndeti i tyre është prioritet! Për shkak se nuk përmbushnin standardet higjieno-sanitare të kërkuara me ligj dhe pengonin qarkullimin e këmbësorëve, Inspektorati i Kryeqytetit ka hequr disa prej frigoriferëve të vendosur jashtë kioskave në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Kryetari shtoi se ky aksion është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunës për të garantuar hapësira publike të lira, të sigurta dhe me standarde për të gjithë qytetarët.

“Qytetari është prioritet i yni,” përfundoi ai.