Një incident i rëndë ka ndodhur në Skenderaj, ku si pasojë e rrëzimit të një luhatëse në një hapësirë rekreative janë lënduar nëntë persona. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fatmir Dibra”, ku sipas Policisë së Kosovës, luhatësja ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti të mëparshëm.
Të lënduarit përfshijnë pesë femra, një mashkull dhe tre të mitur. Fillimisht ata janë dërguar në Qendrën Emergjente në Skenderaj, ndërsa më pas janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Mitrovicës.
Policia ka intervistuar dy persona të dyshuar – pronarin dhe një punëtor të lojërave – të cilët janë liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin përgjegjësitë ligjore për mosmirëmbajtjen e pajisjeve rekreative që vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
