Prindi reagon ashpër pasi British School of Kosova refuzon vajzën me Sindromën Down

Para 11 muaj

Prishtinë, 22 maj 2025 – Një rast i përjashtimit të një fëmije me Sindromën Down nga një institucion arsimor privat në Prishtinë ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Prindi i vajzës ka denoncuar në rrjetin social Facebook refuzimin e regjistrimit të vajzës së tij, Nisa, nga British School of Kosova, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

“Sot ndjeva një dhembje që si prind nuk do të doja ta përjetoja kurrë. Institucioni British School of Kosova refuzoi regjistrimin e vajzës sime, Nises, vetëm sepse ajo ka Sindromën Down,” ka shkruar ai.

Prindi theksoi se kjo situatë është tregues i mungesës së përfshirjes dhe barazisë në sistemin arsimor, pavarësisht përpjekjeve që shoqëria pretendon se bën në këtë drejtim.

“Kjo nuk është thjesht çështje personale. Është një thirrje e hapur për reflektim — për të kuptuar se përjashtimi nuk ndikon vetëm një fëmijë apo një familje, por dëmton gjithë shoqërinë tonë.”

Reagimi i tij ka nxitur solidaritet të gjerë në rrjetet sociale, me shumë qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim të qasjes nga institucionet arsimore.

Deri më tani, British School of Kosova nuk ka komentuar publikisht mbi rastin.