Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar sot Republikën e Kroacisë me rastin e Ditës së Shtetësisë, duke theksuar miqësinë e thellë dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Osmani u shpreh se lidhjet mes Kosovës dhe Kroacisë bazohen në vlera të përbashkëta, si liria, demokracia dhe paqja, dhe falënderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme gjatë rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë dhe zhvillimit.
“Kosova dhe Kroacia janë të bashkuara nga një miqësi e thellë, vlera të përbashkëta dhe një angazhim i palëkundur për liri, demokraci dhe paqe. Në çdo kapitull të udhëtimit tonë, Kroacia i ka qëndruar pranë Kosovës dhe për këtë, mirënjohja jonë është e thellë. Jam e bindur se partneriteti ynë do të vazhdojë të forcohet edhe më shumë në vitet që vijnë,” shkroi presidentja Osmani.
Dita e Shtetësisë së Kroacisë shënon një moment të rëndësishëm historik për këtë vend, ndërsa mesazhi i Presidentes Osmani vjen si dëshmi e partneritetit të fortë dhe miqësisë së ngushtë ndërmjet dy popujve.
