Pas dështimit për të 14-tën herë radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar duke ndërmarrë një hap të ri në përpjekje për tejkalimin e krizës institucionale. Siç mëson Telegrafi, Presidentja ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend, i cili pritet të mbahet më 15 maj në orën 13:00.
Ky takim vjen në vazhdën e gatishmërisë së shprehur nga Presidentja Osmani që nga 16 prilli për të pritur liderët politikë në një takim gjithëpërfshirës, në rast se ata do ta konsideronin të nevojshëm një angazhim të tillë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka deklaruar këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.
Takimi i 15 majit pritet të jetë një përpjekje për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe për të dalë nga bllokada aktuale institucionale, e cila po zvarrit formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet.
