Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, me të cilët ka diskutuar për sfidat aktuale të sistemit shëndetësor dhe nevojën për fuqizimin e të drejtave të pacientëve në vend.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka theksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes publike për të drejtat e pacientëve, si dhe domosdoshmërinë për qasje të barabartë në shërbime cilësore, transparente dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.
Ajo ka ripërsëritur përkushtimin e saj për ndërtimin e një sistemi shëndetësor që vendos pacientin në qendër të vëmendjes dhe që garanton trajtim dinjitoz për secilin individ, pa dallime.
“Mbrojtja e të drejtave të pacientëve është indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik dhe etik të një shteti,” thuhet në deklaratën e Presidencës.
