Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, në Lohn Manor, rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës. Ky takim është pjesë e vizitës shtetërore që Presidentja Osmani po realizon këto ditë në Zvicër.
Në takim ishin gjithashtu të pranishëm Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit, Xhafer Gashi, kryetar i Komunës së Obiliqit, dhe Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes.
Pas takimit bilateral, Presidentja Osmani do të pritet me nderime ushtarake në Sheshin Federal në Bernë, ku më pas të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë për media nga Ndërtesa e Parlamentit/Këshillit Federal. Në këtë konferencë do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i diasporës kosovare në Zvicër.
Gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu një takim me mërgatën shqiptare në qytetin e Gjenevës.
