Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e Epopesë së Rahovecit, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe martirëve të kësaj ane.
Përmes një njoftimi nga Presidenca, Osmani tha se Rahoveci përfaqëson një plagë të thellë, dhimbje të madhe, por edhe një kujtesë të fuqishme që frymëzon betejën për drejtësi.
“Nga 17 deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica prej tyre të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë”, thuhet në deklaratë.
Presidentja shtoi se kujtimi për viktimat është i përjetshëm dhe se përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë pa u ndalur.
“Zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!”, përfundon mesazhi i saj.
