Tiranë, 16 Qershor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore, i cili u mbajt në Tiranë. Ajo shprehu falënderim ndaj Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, për mikpritjen dhe lidershipin në organizimin e këtij takimi rajonal.
“Faleminderit Presidentit Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit të nivelit të lartë të liderëve të shteteve të vendeve të Evropës Juglindore në Tiranë,” u shpreh Presidentja Osmani.
Në fjalimin e saj, ajo theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet parë si një interes strategjik i vetë BE-së, dhe jo si një veprim bamirësie.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës,” deklaroi ajo.
Presidentja Osmani kërkoi që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë ndaj Kosovës, përfshirë heqjen e masave ndëshkuese dhe dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
“Është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tonë,” tha ajo.
Ajo shtoi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen nga masa që nuk i shërbejnë paqes e stabilitetit, duke theksuar se ato dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët dhe pengojnë procesin e dialogut.
Në përmbyllje, Presidentja ritheksoi se orientimi strategjik i Kosovës mbetet i qartë dhe i palëkundur drejt integrimit në strukturat euroatlantike, përkatësisht në BE dhe NATO.
“Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike,” përfundoi Osmani.
