Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se e ardhmja e vendit është e pandashme nga rruga euroatlantike, duke theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave demokratike dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë.
Në fjalimin e saj në Aspen Institute në Berlin, Osmani tha se Kosova po ndërton të ardhmen mbi themelet e demokracisë dhe miqësisë me vendet partnere.
“E ardhmja e Kosovës është e rrënjosur në demokraci, e ndërtuar me miq dhe e udhëhequr nga vlerat euroatlantike. Një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi presidentja.
Ajo shtoi se kjo nuk është vetëm një aspiratë e Kosovës, por edhe një interes strategjik për rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Osmani foli për përkushtimin e Kosovës në zbatimin e reformave, si rrugë e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik.
