Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar deklaratat e ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndaljen e një konflikti të mundshëm të armatosur nga Serbia në Kosovë. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se ajo ka shprehur si i ka kuptuar vetë ato deklarata, duke sqaruar se nuk ka interpretuar fjalët e Trump, por vetëm i ka dhënë një kuptim nga pozicioni i saj si Presidente e Republikës së Kosovës.
“Lidhur me këto deklarata shumë konkrete, kam thënë mënyrën se si e kuptojmë ne, pra nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por e kam treguar si e kam kuptuar unë si Presidente e Republikës së Kosovës,” u shpreh Osmani, duke shtuar se nëse qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është ndryshe, media mund të drejtohet për sqarime të mëtejshme tek ata.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për kontributin e Trump në paqen botërore: “Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si njeri që punon ditë e natë për paqe në botë, e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë këtë kontribut dhe tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij, pra vlerësimit pozitiv që e kemi për presidentin Trump dhe udhëheqjen e tij.”
