Presidenti ukrainas kërkon takim tjetër, apel për Trump dhe BE-në: Moska nuk do paqe

Para 8 muaj

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar një takim të ri me presidentin Donald Trump dhe liderët evropianë për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

Zelensky theksoi se zyrtarët e lartë të Kievit janë të gatshëm të takohen me liderët e SHBA-së dhe Bashkimit Europian javën e ardhshme, për të përshpejtuar procesin e paqes.

Propozimi për këto takime synon të shfrytëzojë momentin e tanishëm për të avancuar përpjekjet për paqe, ndërkohë që Zelensky ka shprehur dëshpërim për “mungesën e angazhimit serioz rus në procesin e bisedimeve”.

Edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur shqetësim për veprimet e homologut të tij rus, Vladimir Putin, i cili ka bllokuar mundësinë e bisedimeve direkte me Zelenskyn dhe ka paralajmëruar se do të marrë vendime për të ardhmen nëse dialogu dypalësh nuk do të mund të vazhdojë.

Andriy Yermak, shefi i personelit të presidencës ukrainase, pritet të takohet këtë të premte në Nju Jork me dërguarin e posaçëm të Trump, Steve Witkoff, për të diskutuar përgatitjet e takimeve të ardhshme.

Në një deklaratë për mediat në Kiev, Zelensky bëri me dije se priste takime të shumta me liderë evropianë gjatë javës së ardhshme.

Presidenti i Ukrainës gjithashtu shtoi se negociatorët ukrainas kanë zhvilluar bisedime për paqe në Katar, Arabinë Saudite, Turqi, Emiratet, Zvicër dhe SHBA.

Ukraina ka pranuar propozimin amerikan për një armëpushim dhe një takim mes Putinit dhe Zelenskyt, por Moska ka refuzuar këtë mundësi.