Policia ndalon 6 persona gjatë ceremonisë së gurthemelit për urat mbi lumin Ibër

Para 10 muaj

Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemeleve për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Policia e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona për mosrespektim të urdhrave policorë.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se të ndaluarit do të përballen me masa administrative.

“Gjashtë persona janë ndaluar për mosrespektim të urdhrave të policit. Të njëjtëve do t’iu shqiptohet nga një tiketë për kundërvajtje,” deklaroi Elshani.

Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti zyrtar ku morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përfaqësues të komunave të Mitrovicës dhe zyrtarë të ministrive përkatëse. Policia ishte në terren me prezencë të shtuar për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë aktivitetit.

Nuk është raportuar për incidente më të rënda, ndërsa ceremonia ka vijuar pa ndërprerje.