Policia e Pejës ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve, duke bërë thirrje për raportim të çdo personi të dyshuar për zjarrvënie. Apeli vjen pas temperaturave të larta që kanë kapluar vendin dhe përvojave të kaluara me raste të zjarrvënieve.
Policia paralajmëron masa ligjore ndaj atyre që rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo nga pakujdesia. Ajo kërkon nga banorët e rajonit të Pejës të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve që mund të shkaktojnë zjarre, si përdorimi i shkrepsave, cigareve, grillave apo zjarreve në natyrë.
