Policia e Kosovës ka trajtuar së fundmi disa raste shqetësuese të postimeve në internet nga fëmijët, që përfshijnë vetëlëndime dhe shprehje për vetëvrasje, duke ngritur shqetësimin për rreziqet në rritje që fëmijët përballen online.
Veprimet e ndërmarra:
- Falë bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet relevante, policia ka identifikuar fëmijët në rrezik dhe ka siguruar ndërhyrje të menjëhershme.
- Janë njoftuar prindërit dhe institucionet përgjegjëse për ofrimin e mbështetjes dhe trajtimit të nevojshëm për fëmijët.
Policia falënderon të gjithë qytetarët për kontributin në krijimin e një ambienti më të sigurt në internet, sidomos për fëmijët.
Këshilla dhe thirrje për prindërit:
- Flisni rregullisht me fëmijët tuaj për rreziqet në internet.
- Monitoroni aktivitetin online, për të parandaluar rreziqe të mundshme.
- Kontrolloni përmbajtjet që fëmijët ruajnë në telefon apo kompjuter.
- Sigurohuni që fëmijët nuk luajnë lojëra të rrezikshme që promovojnë vetëlëndimin.
Këshilla për fëmijët:
- Mos ndani të dhëna personale me persona të panjohur në internet.
- Kurrë mos takoni dikë fizikisht pa dijeninë e prindërve.
- Kujdes me postimet në rrjetet sociale.
- Mos ngacmoni të tjerët, dhe mos shpërndani përmbajtje të papërshtatshme.
- Mos luani lojëra që kërkojnë sfida të rrezikshme apo vetëlëndim.
- Kufizoni kohën e qëndrimit në internet pa arsye.
- Bisedoni me dikë të besueshëm për çdo shqetësim – qoftë prind, mik apo Policia e Kosovës.
Në rast rreziku apo shqetësimi – kontaktoni Policinë menjëherë.
Kjo thirrje është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë digjitale dhe mirëqenien e fëmijëve në Kosovë, përmes ndërgjegjësimit dhe veprimeve të koordinuara mes institucioneve dhe familjeve.
