Policia e Kosovës intensifikon kontrollet me vetura inteligjente në Prishtinë dhe rrethinë

Para 11 muaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prishtinë ka intensifikuar kontrollet në qytete dhe fshatra, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë në trafik.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se në këtë aksion po përdoren vetura inteligjente të pajisura me teknologji të avancuar për njohjen automatike të targave të automjeteve. Këto mjete moderne i mundësojnë policisë identifikimin e shpejtë të kundërvajtjeve dhe gjurmimin e automjeteve të dyshimta.

“Qëllimi i këtyre kontrolleve është parandalimi i aksidenteve dhe identifikimi i shkelësve të rregullave të trafikut, për të ofruar një ambient më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion,” thuhet në njoftim.

Policia ka bërë thirrje për respektim të rregullave të trafikut dhe bashkëpunim me organet e rendit për të siguruar një qarkullim më të sigurt në rrugët e Kosovës.