Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta nga 1 korriku

Para 11 muaj

Tiranë – Në kuadër të sezonit veror dhe rritjes së fluksit të udhëtarëve nga Kosova drejt Shqipërisë, nga data 1 korrik 2025 do të nisë zyrtarisht patrullimi i përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit në territorin shqiptar.

Lajmi u konfirmua pas nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe homologu i tij nga Policia e Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është rritja e sigurisë rrugore, menaxhimi më efikas i trafikut në akset kryesore ndërkufitare, si dhe parandalimi i shkeljeve dhe aksidenteve rrugore gjatë muajve të verës, kur edhe qarkullimi ndërmjet dy vendeve arrin kulmin.

Ky bashkëpunim policor është një hap konkret drejt forcimit të sigurisë për qytetarët e të dy vendeve dhe një sinjal i qartë i bashkërendimit institucional ndërshqiptar në menaxhimin e flukseve turistike dhe rrugore.