Polici jashtë orarit parandalon incident me armë në fshatin Abri të Skenderajt

Para 8 muaj

Një zyrtar policor, edhe pse jashtë orarit dhe në veshje civile, ka ndërhyrë me guxim për të parandaluar një incident të rrezikshëm me armë zjarri në fshatin Abri të Skenderajt.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, zyrtari policor ka reaguar menjëherë ndaj një situate ku një person kishte nxjerrë armën dhe po kërcënonte sigurinë e qytetarëve përreth. Polici ka arritur ta neutralizojë të dyshuarin, ta arrestojë dhe t’ia konfiskojë armën – një pistoletë – e cila është sekuestruar si provë materiale.

“Lidhur me ngjarjen, janë iniciuar raste për dy vepra penale, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Kanosje’, ndërsa me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh,” thuhet në njoftimin e policit, që e ka publikuar rasti në faqen zyrtare në Facebook.

Ngjarja ka nxitur reagime pozitive në opinion, duke vlerësuar veprimin e shpejtë dhe të vendosur të zyrtarit policor, i cili ndaloi përshkallëzimin e situatës dhe mbrojti qytetarët e pranishëm.