Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar paraburgim për një zyrtar të Njësisë Speciale Operative, me inicialet M.L., i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare, posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës në vende publike.
Sipas Prokurorisë, M.L. dyshohet se më 2 shtator 2025 ka ndihmuar një person tjetër duke e larguar nga shtëpia e tij përmes shfrytëzimit të pozitës zyrtare. Po ashtu, ai dyshohet se ka informuar këtë person për hetimet ndaj tij dhe ka përdorur armën në ambiente publike, veprime që janë publikuar edhe në rrjete sociale.
Gjatë bastisjes, policisë i janë sekuestruar fishekë dhe telefona. Seanca për caktimin e paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
