Po rriten pa nënë’ – Lot dhe apel nga familja e Liridona Ademajt para seancës gjyqësore

Para 10 muaj

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot në orën 13:20, pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila tronditi opinionin publik në nëntor të vitit të kaluar.

Para fillimit të seancës, ka reaguar vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, i cili ka kërkuar që gjykimi të përfundojë sa më shpejt dhe ka bërë thirrje për prezencën e mediave në sallën e gjyqit.
“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejtë,” shkroi ai në rrjete sociale.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj. Ajo u qëllua për vdekje me plumb në qafë.

Të akuzuar për këtë vrasje janë ish-bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Plava, Kreshnik Kokalla dhe Tom Dodaj. Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tyre më 15 janar 2025.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin planifikuar paraprakisht vrasjen, me marrëveshje që Plava do ta kryente krimin në këmbim të shumës prej 30 mijë eurosh që do t’i paguhej nga Murseli.

Procesi gjyqësor pritet të ndriçojë më tej motivet dhe rrethanat e ngjarjes tragjike që i mori jetën 30-vjeçares dhe tronditi të gjithë vendin.