Plagët që s’fliten”: Vasfije Krasniqi pjesë e projektit global të “Vogue” për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Para 11 muaj

Ka plagë aq të thella sa gjuha i lë pa fjalë. Përdhunimi është një prej tyre” – me këto fjalë nis projekti ndërkombëtar i revistës prestigjioze “Vogue”, që sjell dëshmitë dhe portretet e mbi 250 të mbijetuara nga dhuna seksuale në kohë lufte, përfshirë edhe Kosovën.

Projekti, i udhëhequr nga fotografja dhe aktivistja Jadėiga Brontē, synon të thyejë heshtjen rreth një prej traumave më të thella dhe më të shpërfillura të konflikteve të armatosura. Çdo pjesëmarrëse ka zgjedhur vetë mënyrën si të shfaqet: si të pozojë, çfarë të ndajë dhe çfarë të lërë në heshtje. Imazhet janë të thjeshta, të qeta, por të fuqishme – duke ruajtur gjithmonë dinjitetin dhe forcën e të mbijetuarave.

Në mesin e këtyre zërave është edhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila është gruaja e parë shqiptare që ka folur publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Rrëfimi i saj është kthyer në një simbol të guximit dhe të luftës për drejtësi për të mbijetuarat e tjera.

Ky projekt nuk i nënshtrohet më logjikës së heshtjes apo anonimitetit – përkundrazi, ai sfidon botën me një mesazh të qartë: dhuna seksuale nuk duhet të heshtet, ajo duhet të dëgjohet, të njihet dhe të përballet.