Pezullim urgjent? Avokati i Popullit kërkon ndalimin e rritjes së rrymës “Shkelje ndaj qytetarëve dhe biznesit

Para 11 muaj

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin në tregun e lirë të energjisë, deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e plotë të ndikimeve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë vendim.

Përmes një opinioni Ex Officio, Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime serioze për rritjen e tarifave për energjinë elektrike me 16.1%, duke theksuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës dhe e rëndon veçanërisht shtresën më të ndjeshme të shoqërisë – familjet në nevojë dhe përfituesit e asistencës sociale.

Në opinionin e publikuar thuhet se ZRRE nuk ka respektuar nenin 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon bashkërendim dhe konsultim me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël.

“Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik”, thuhet në opinion.

Sipas Avokatit të Popullit, mungesa e transparencës në këtë proces ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa ankesat nga qytetarët, sektori privat dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë mbetur pa përgjigje.

Institucioni rekomandon që Qeveria e Kosovës të veprojë urgjentisht në përputhje me ligjin, për të siguruar që çdo vendim për rritje të tarifave të përcillet me masa mbrojtëse për konsumatorët në nevojë, komunitetin e biznesit dhe për të shmangur krijimin e monopoleve në tregun e energjisë.