Përvjetori i Dytë i Sulmit në Banjskë – Homazhe dhe Akademi Përkujtimore për Hero Afrim Bunjakun

Para 7 muaj

Nesër shënohet dyvjetori i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i shpallur më pas Hero i Kosovës.

Në nderim të sakrificës së tij, institucionet e vendit kanë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, nesër (e mërkurë) më 24 shtator, do të mbahen:

  • 10:30 – Homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, ku do të marrin pjesë zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe qytetarë.
  • 15:00 – Akademi Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku pritet të flasin figura të larta të shtetit dhe të nderohet jeta dhe vepra e heroit Bunjaku.

Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023, gjatë një sulmi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup paramilitar serb në fshatin Banjskë. Sakrifica e tij u bë simbol i qëndresës dhe përkushtimit për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.