Përplasjet për gazin amerikan, Hoti i përgjigjet VV-së: Pse frikësoheni nga qytetarët?

Para 1 muaj

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar për herë të dytë brenda ditës lidhur me debatet për gazin amerikan, pasi më herët kishte bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe protestapër këtë çështje.

Reagimi i tij vjen pasi deputeti i zgjedhur i LVV-së, Ilir Kërçeli, kritikoi qëndrimin e Hotit, duke deklaruar se “Ta mbrojmë me protestë aleancën tonë me SHBA-të, tha një deputet dhe ish-kryeministër i LDK-së. Ooo mbrojeni LDK-në, sepse po ju ndërrohet qiramarrësi. Për aleancën me SHBA-të ka kush kujdeset dhe e mbron”, shkroi Kërçeli në Facebook.

Rrjedhimisht pasoi reagimi i dytë nga Hoti, i cili tha se përfaqësuesit e pushtetit nuk i dëgjuan reagimet e zyrtarëve amerikanë dhe të Odës Ekonomike Amerikane për projektin e gazit, por reaguan menjëherë kur u përmendën qytetarët dhe protestat.

“Çuditërisht, për çështjen e gazit nuk dëgjuan reagimet e zyrtarëve të Administratës Amerikane dhe Odës Ekonomike Amerikane, por u ra në vesh menjëherë sapo u përmend zëri i qytetarëve dhe protesta. Pyetja është e thjeshtë: pse frikësoheni nga qytetarët? Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është politikë ditore, por është themel i shtetit tonë”, ka shkruar Hoti.