Përplasje verbale mes Sami Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit: Akuza për inat dhe probleme psikike

Para 9 muaj

Një përplasje e ashpër ka shpërthyer mes ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në një intervistë televizive të martën, Lladrovci akuzoi Lushtakun për përzierje në çështjet lokale të Drenasit dhe për ambicie të fshehura për të marrë pushtetin në këtë komunë. Ai deklaroi se konflikti i tyre e ka zanafillën vite më parë, lidhur me një pronë në zonën e kanalit Ibër-Lepenc, për të cilën pretendon se Lushtaku nuk është pronar ligjor, por ka tentuar të ndërtojë.

Sami Lushtaku reagoi ashpër ndaj deklaratave të Lladrovcit, duke e quajtur atë “njeri me probleme psikike” dhe duke thënë se nuk merret me të. “Më mirë është ai të shkojë të kontrollohet. Nuk merrem me të”, tha Lushtaku për FrontOnline.

Përplasja e fundit midis dy figurave të njohura të PDK-së vjen në një kohë kur tensionet politike në nivel lokal po rriten, duke zbuluar ndarje të thella brenda strukturave partiake në Drenas dhe Skenderaj.