Përplasje rreth vizitës së Trendafilovës në Prishtinë

Para 11 muaj

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka zhvilluar një vizitë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, ku është mirëpritur nga përfaqësues të kësaj ambasade. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Ambasada Gjermane përmes një njoftimi publik.

“Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë gjykatë të rëndësishme, procedurat e saj dhe zbatimin e rekomandimeve të saj, për shembull një fond për kompensimin e viktimave”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Megjithatë, vizita e Trendafilovës nuk është pritur mirë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Nënkryetari i saj, Gazmend Syla, ka kritikuar kohën e zgjedhur për këtë vizitë, duke e cilësuar si provokuese dhe të panevojshme.

“Data që ka zgjedhur për të ardhur në Kosovë është provokim i qëllimshëm. Kjo vizitë është e papranueshme për ne dhe vjen në një moment të ndjeshëm për çështjet që kanë të bëjnë me ish-pjesëtarët e UÇK-së”, ka deklaruar Syla për KosovaPress.

Vizita e Trendafilovës vjen në kohën kur proceset gjyqësore ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së janë duke vazhduar në Hagë, duke nxitur reagime të vazhdueshme në opinionin publik dhe politik në Kosovë.