Përplasje për energjinë: LDK kërkon anulimin e rritjes së çmimit, Bajrami dhe Rizvanolli shkëmbejnë akuza të ashpra

Para 11 muaj

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë dorëzuar një kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ku kërkojnë anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në diskutimet publike, LDK ka propozuar gjithashtu ndarjen e 50 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve të mëdha, një ide që ka ngjallur debate të forta politike.

Kjo nismë ka çuar në një përplasje virtuale mes deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Kjo e fundit, në një deklaratë publike, ka kundërshtuar ashpër idenë për subvencionimin e korporatave të mëdha, duke thënë se qeveria nuk do të lejojë që “miliona euro nga taksat e qytetarëve të shkojnë për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të 1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë”.

“LDK-ja ndoshta edhe do të donte ta realizonte këtë politikë, siç kanë vepruar gjatë pandemisë, por këtë mund ta bëjnë vetëm nëse ndonjëherë i fitojnë zgjedhjet”, deklaroi Rizvanolli.

Në përgjigje, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër, duke e akuzuar Rizvanollin për paaftësi dhe për përgjegjësi direkte në ngritjen e tarifave të energjisë. Sipas saj, ministrja nuk ka kredibilitet për të kritikuar LDK-në dhe duhet të japë llogari për ndarjen e tenderëve në KEK.

“Ajo duhet së pari t’i sqaroj publikut se si në grupin e Whatsapp-it ku ajo ishte pjesë ndaheshin tenderë milionësh për kompani që nuk i plotësonin as kriteret”, tha Bajrami, duke përmendur edhe rritjen me 128% të çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë që kalojnë pragun prej 800 kWh.

Deputetja e LDK-së ka ftuar Rizvanollin në një debat publik për t’i përballur faktet, duke e akuzuar për mbrojtje të interesave të ashtuquajturës “mafi energjetike”.

Përplasja mes dy përfaqësueseve vjen në një moment kritik për sektorin energjetik në Kosovë, i cili po përballet me sfida të mëdha rreth çmimeve, transparencës dhe mbështetjes ndaj qytetarëve dhe bizneseve.