Marrëdhëniet mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk kanë hyrë në një fazë përplasjeje, duke shënuar një distancim të dukshëm mes dy prej figurave më me ndikim në SHBA.
Në një debat televiziv të transmetuar nga Klan Kosova, eksperti Sadri Kortoci tha se veprimet e Trumpit janë të vështira për t’u kuptuar, duke shtuar se egot personale dhe ambiciet për pushtet janë në qendër të këtij përplasimi. “Trump është i fuqishëm politikisht, Musk ekonomikisht. Por të dy kanë egot e tyre dhe kjo sjell përplasje,” tha ai.
Ndërkohë, analisti Bardh Zherka vlerësoi se kjo përplasje ishte e pritshme. “Për mua ka ardhur me vonesë, sepse dy figura me ego të mëdha nuk mund të qëndrojnë gjatë në të njëjtën ‘shtëpi’, qoftë edhe simbolikisht,” u shpreh ai, duke nënkuptuar Shtëpinë e Bardhë.
Gazetari Ardian Gaxheri theksoi se të dy janë ‘alfa meshkuj’, që kërkojnë të tregojnë kush ka më shumë pushtet, duke nënvizuar natyrën konkurruese të marrëdhënies së tyre.
Zhvillimet e fundit shënojnë një ndarje mes Musk dhe Trump, që deri vonë shfaqeshin si aleatë potencialë në sferën politike dhe ekonomike amerikane.
