Përplasje mes Elon Musk dhe Donald Trump: Përfshihet edhe ish-e dashura e Musk

Para 10 muaj

Konflikti mes Elon Musk dhe Donald Trump ka marrë përmasa publike këtë javë, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Mosmarrëveshja shpërtheu pasi Musk kritikoi publikisht buxhetin e propozuar nga Trump dhe deklaroi se pa mbështetjen e tij, Trump nuk do të kishte fituar zgjedhjet, ndërsa demokratët do të kishin marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet… një mosmirënjohje e tillë,” shkroi Musk në një postim që më vonë u fshi.

Përplasja u thellua kur Musk aludoi se emri i Trump ndodhet në dokumente ende të pabëra publike që lidhen me financierin famëkeq Jeffrey Epstein. “Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë liruar ende,” shkroi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe Ashley St. Clair, ish-e dashura e Musk dhe nëna e njërit prej fëmijëve të tij. Ajo postoi me ironi në Twitter:
“Hej @realDonaldTrump, më lajmëro nëse ke nevojë për këshilla për ndarjen,” duke përforcuar idenë e një “ndarjeje” të vërtetë politike dhe personale mes Musk dhe Trump.

St. Clair është bërë e njohur edhe më herët, kur në prill zbuloi se kishte refuzuar një ofertë nga Musk prej 15 milionë dollarësh për të mbajtur sekret ekzistencën e djalit të tyre, Romulus St. Clair, si dhe një shumë shtesë prej 100,000 dollarësh në muaj deri sa ai të mbushte 21 vjeç. Ajo tha se nuk e pranoi ofertën sepse “nuk donte që fëmija të ndihej si një sekret”.

Përplasja publike midis dy figurave të njohura si Trump dhe Musk, si dhe përfshirja e elementëve personalë në këtë debat, e ka kthyer çështjen në një spektakël të vërtetë politik dhe mediatik.