Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar pas deklaratave të deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe artistes Eliza Hoxha, e cila ka shprehur shqetësime publike lidhur me procesin e ndarjes së Çmimeve të Fushës së Artit Pamor për vitin 2024.
Hoxha ka akuzuar MKRS-në për, siç ka thënë ajo, ndërhyrje politike dhe shkelje të procedurave, duke pretenduar se njëri nga emrat është përfshirë në listën e kandidatëve pas përfundimit të afatit zyrtar.
Në një reagim zyrtar, MKRS i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara. Sipas ministrisë, juria e parë – e përbërë nga Fatmir Krypa, Eshref Qahili dhe Hazir Reka – nuk kishte marrë të gjitha dosjet brenda afatit, çka e bëri të nevojshme përsëritjen e procesit. Juria paraprake kishte refuzuar të bëjë rivlerësimin, ndërsa ministri Hajrulla Çeku emëroi një juri të re, të përbërë nga Rudina Xhaferi, Artan Hajrullahu dhe Afrim Hajrullahu.
MKRS theksoi se procesi i ri është zhvilluar mbi bazën e dokumentacionit të plotë dhe në përputhje me rregullat, duke ftuar anëtarët e të dyja jurive të dëshmojnë nëse ka pasur ndonjë ndikim apo kërkesë për përjashtime apo favorizime.
Ministria njoftoi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së hapave ligjorë për shpifje, duke vlerësuar se akuzat dëmtojnë imazhin institucional dhe proceset ligjore.
Derisa debati vazhdon, komuniteti artistik dhe opinioni publik presin qartësim të plotë dhe transparencë rreth mënyrës së ndarjes së çmimeve, në mënyrë që të garantohet besimi në proceset kulturore institucionale.
