Përpjekje për rrugëzgjidhje: Presidentja Osmani takon ndaras krerët e partive politike

Para 10 muaj

Presidentja Vjosa Osmani i ka ftuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së një rrugëdaljeje nga kriza institucionale në të cilën është futur vendi si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit. Kjo është hera e dytë nga 15 maji që e para e shtetit zhvillon takime me ta. Për dallim nga hera e parë, kësaj radhe ajo ka zgjedhur që takimet t’i zhvillojë ndaras.   

13:15- Prattipati takohet me presidenten Osmani

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, është parë duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës, gjatë kohës sa po zhvillohej takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Por siç merr vesh Kallxo.com, ajo nuk ka hyrë në këtë takim.

Me presidenten Osmani, ajo ka pritur të zhvillojë një takim të rregullt.

12:26- Kurti pas takimit me Osmanin: Në fund të korrikut duhet ta kemi Kuvendin e konstituuar 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se në javën e fundit të korrikut duhet ta kemi konstituimin e Kuvendit.

Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet ta kemi konstitumin e Kuvendit. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit e me konsultime konstruktive dhe me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, që më pastaj të fillojmë për formimin e Qeverisë”- tha Kurti pas takimit që zgjati plot dy orë.

“Tash zonja Presidente do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë dhe në fund do ta shohim se a kemi bërë përparim. Besoj se duhet t’u japim shansin edhe takimeve të tjera”- shtoi ai.

kallxo.com