Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se pjesa e parë e Provimit të Maturës Shtetërore është përmbyllur me sukses. Testi u zhvillua në 158 qendra të testimit me mbi 1,300 salla të organizuara, ndërsa, sipas raportimeve zyrtare, procesi ka nisur me kohë dhe pa parregullsi të mëdha.
Megjithatë, MAShTI ka konfirmuar se një numër i nxënësve janë larguar nga testimi për shkak të përdorimit të telefonave gjatë provimit. Ministria ka paralajmëruar se një raport më i detajuar mbi mbarëvajtjen e provimit do të publikohet javën e ardhshme, pas analizimit të të dhënave nga qendrat e testimit.
