Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.B, për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 21 prill 2025, në Pejë, B.B dyshohet se ka hyrë me forcë në një shtëpi private ndërkohë që pronari dhe familja e tij ndodheshin jashtë vendit për pushime. Ai ka depërtuar nëpërmjet dritares së katit të dytë, duke vjedhur ar në vlerë rreth 30 mijë euro, para të gatshme rreth 7 mijë euro dhe orë të ndryshme luksoze me vlerë afro 87 mijë euro.
Po atë ditë, gjatë një kontrolli në shtëpinë e të pandehurit, Policia e Kosovës ka gjetur disa nga orët e vjedhura, që i përkisnin viktimës dhe familjarëve të tij.
Prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.
