Pejë: Arrestohen dy zyrtarë policorë, dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Para 10 muaj

Pejë, 21 qershor 2025 – Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, kanë arrestuar sot dy zyrtarë policorë – një nënkolonel dhe një kapiten – nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas IPK-së, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të prokurorit të rastit, pas intervistimit në kuadër të procedurës hetimore.

Hetimet janë nisur pas raportimeve mediatike më 28 maj 2025, që kishin të bënin me një incident të ndodhur në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë, ku zyrtarët policorë ishin njoftuar për një aksident trafiku.

Gjatë këtij rasti, një person që nuk ishte i përfshirë në aksident, por që dyshohet se kishte penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës, ishte shoqëruar në stacionin policor. Megjithatë, bazuar në hetimet preliminare, dyshohet se nënkoloneli dhe kapiteni kanë ndërhyrë në trajtimin e rastit, duke shmangur procedurat standarde hetimore dhe pa e njoftuar Prokurorinë për incidentin.

Përkundër pengesës ndaj zyrtarëve policorë, personit të shoqëruar nuk iu iniciua procedurë penale, por iu shqiptuar vetëm një tiketë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

IPK ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në koordinim me organet e drejtësisë.