Partia Demokratike e Kosovës ka nisur një kundërshtim administrativ ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që parashikon largimin e rreth 1,300 bizneseve nga shërbimi universal i energjisë dhe kalimin e tyre në tregun e lirë nga 1 qershori 2025.
Deputeti Abelard Tahiri tha se ky vendim rrezikon ekonominë e vendit, punëtorët dhe do të sjellë rritje të çmimeve dhe inflacion. Sipas tij, vendimi është marrë pa analizë të tregut dhe pa konsultime me institucionet përkatëse.
PDK kërkon pezullimin urgjent të vendimit dhe paralajmëron padi në Gjykatën Themelore nëse nuk merret masa brenda 15 ditësh. Tahiri po ashtu akuzoi qeverinë për konflikt interesi, duke përmendur një kompani energjetike të lidhur me shefin e stafit të kryeministrit Albin Kurti.
