PDK s’ka lindur në zyrë” Hamza: Të bashkohemi për Kosovën e Thaçit dhe Veselit

Para 10 muaj

Prishtinë, 21 qershor 2025 – Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në fjalimin e tij në Konventën e 11-të të Përgjithshme të partisë, tha se PDK është sot “busulla që e çon Kosovën drejt Evropës dhe bashkimit të shoqërisë”.

Hamza theksoi se rezultati i mirë i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit u arrit për shkak se partia “depolarizoi shoqërinë dhe ofroi zgjidhje konkrete për qytetarët”, duke lënë pas retorikat boshe.

Duke iu drejtuar delegatëve të konventës, Hamza tha se PDK është trashëgimtare e vlerave të luftës dhe e figurave si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që sipas tij “sot nuk mund të flasin lirshëm”. Ai theksoi nevojën që partia të mbrojë trashëgiminë e tyre dhe të ringrihet më e bashkuar se kurrë.

“PDK nuk ka lindur në zyrë apo në salla parlamentare. Ajo ka lindur në përballje, në sakrificë, në shpirtin e rezistencës,” u shpreh Hamza.

Në përmbyllje, ai tha se PDK është e gatshme të udhëheqë Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë dhe se më 12 tetor partia do të konfirmojë forcën e saj në çdo komunë të vendit.