PDK shpërthen ndaj ekspozitës për masakrat: “Skandal me para të shtetit, kërkojmë hetim”

Para 1 muaj

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite për masakrat e luftës 1998–1999, duke e cilësuar atë si të pasaktë dhe skandaloze.

Sipas PDK-së, ekspozita e organizuar nga Shkëlzen Gashi dhe e hapur më 24 mars në Prishtinë përmban gabime dhe deformon të vërtetën historike.

Në reagim thuhet se çdo përpjekje për relativizimin e krimeve është e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike, ndërsa ngrihen dyshime serioze për përgjegjësi institucionale, duke qenë se ekspozita, sipas tyre, është financuar dhe promovuar nga shteti.

PDK ka kërkuar:

  • Sqarim publik për përgatitjen dhe miratimin e ekspozitës
  • Identifikimin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përfshirë
  • Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave
  • Hetim për keqpërdorim të detyrës dhe parasë publike

Partia thekson se Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi deformimin e së vërtetës dhe se do të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e viktimave.