PDK refuzon mbështetjen për kandidatë nga Qeveria Kurti II për kryetar të Kuvendit

Para 11 muaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se subjekti që ai drejton nuk do të mbështesë asnjë emër nga ish-anëtarët e Qeverisë Kurti II për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Ne nuk do ta votojmë asnjëherë asnjë nga anëtarët e Qeverisë Kurti II, sepse konsiderojmë se të gjithë janë përgjegjës për degradimin që e kanë sjellë vendin tonë,” tha Krasniqi në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Ai theksoi se, megjithëse nuk ka dhënë emra konkretë, e respekton të drejtën e partisë së parë për të propozuar kandidatin për këtë pozitë. Megjithatë, përmendi se Ramush Haradinaj ka propozuar emrat e Saranda Bogujevcit dhe Fitore Selimit si të pranueshëm për kryetare të Kuvendit – emra që, sipas Krasniqit, do të mund të merrnin votat e nevojshme.

Lideri i PDK-së komentoi edhe takimin e mbajtur sot mes liderëve të partive politike dhe Presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur atë një hap simbolik drejt daljes nga kriza institucionale, ndonëse pa pritje për ndonjë zgjidhje konkrete.

“Nuk është që pritej apo rezultoi me ndonjë zhvillim pozitiv që do të mundësonte daljen nga kriza, por nuk duhet ta shohim si të pavlerë. Është një hap i duhur,” u shpreh ai.

Krasniqi fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për vazhdimin e bllokadës institucionale, duke e lidhur këtë me këmbënguljen e tyre për kandidaturën e Albulena Haxhiut.

Ai njoftoi se ka propozuar që Presidentja të shqyrtojë mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të mundshëm që do të ndihmonte në zhbllokimin e situatës.