Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të përsëritur qëndrimin e këtij subjekti politik lidhur me situatën aktuale në vend.
Pas takimit, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, tha se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë parlamentare që do të mundësonte formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.
“Në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që do ta thellonte krizën politike dhe pasigurinë institucionale,” deklaroi Abdullahu.
Sipas PDK-së, vendi ka nevojë për zgjidhje të qartë politike, e cila do të rikthente stabilitetin dhe besimin në institucione, dhe jo për shtyrje të krizës aktuale.
Ky qëndrim i PDK-së vjen në të njëjtën ditë kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën si mandatar për formimin e qeverisë së re, hap që tashmë është kundërshtuar edhe nga LDK, e cila po ashtu kërkon zgjedhje të reja si zgjidhje për ngërçin politik.
