Pasi provoi parti të tjera, Blerim Kuqi rikthehet aty ku e nisi – në LDK

Para 0 vit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar rikthimin e një figure të njohur politike në radhët e saj. Blerim Kuqi, ish-kryetar i Komunës së Suharekës dhe ish-ministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është rikthyer në LDK, duke zyrtarizuar kështu përkrahjen për kandidatin e kësaj partie për Suharekën, Ardian Shala.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se vizita e tij në Suharekë shënoi fillimin e një faze të re për partinë – fazën e bashkimit dhe konsolidimit të strukturave.

“Vizitova Suharekën. Mes punës së madhe për forcim e ribashkim, Blerim Kuqit i urova rikthim në familjen tonë të madhe. Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale”, shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se rikthimi i Kuqit është simbolikë e një hapjeje më të madhe brenda LDK-së, duke ftuar të gjithë ata që ndihen të papërfaqësuar të rikthehen e të angazhohen.

“Kjo ditë nisi diçka dhe më të madhe. Bashkimin. Bashkimin e të gjithë atyre që ndihen se i përkasin LDK-së. Gjithë atyre që janë ndjerë të lënë anash e pa përfaqësim, u them ejani; mos u ankoni, ejani ndihmoni”, shkroi ai më tej.

Rikthimi i Kuqit pritet të forcojë dukshëm pozitat e LDK-së në Suharekë në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa mbështetja për Ardian Shalën sinjalizon një strategji të qartë për ndërtimin e një ekipi të gjerë e përfshirës në nivel lokal.

“Blerim të priftë e mbara. Ardian, na prijë në rrugën përpara”, përfundoi Abdixhiku.