Pas sulmit izraelit në Damask, Presidenti sirian reagon: “Jemi të gatshëm për çdo sfidë

Para 9 muaj

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në një deklaratë televizive të enjten, theksoi se mbrojtja e qytetarëve druzi dhe të drejtave të tyre është prioritet kombëtar, ndërsa tensionet në jug të Sirisë po përshkallëzohen me shpejtësi.

Deklarata e Sharaas vjen një ditë pas sulmeve të fuqishme ajrore izraelite mbi Damask, që goditën pranë Pallatit Presidencial dhe shkatërruan pjesë të Ministrisë siriane të Mbrojtjes. Izraeli tha se sulmet ishin kundër forcave qeveritare siriane që, sipas Tel Avivit, po sulmojnë komunitetin druzi në jug të Sirisë.

“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta… por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit,” u shpreh Sharaa, duke bërë thirrje për unitet kombëtar.

Në një reagim të fortë, Izraeli u zotua se do të shkatërrojë forcat qeveritare nëse ato nuk ndalojnë sulmet ndaj pakicës druzi, ndërkohë që pakica druzi brenda Izraelit ka kërkuar ndërhyrje për të mbrojtur të afërmit e tyre në Siri. Tel Avivi akuzoi udhëheqësit e rinj të Sirisë si “xhihadistë të maskuar dobët” dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë zhvendosjen e forcave siriane drejt kufirit jugor.

SHBA ka ndërhyrë diplomatikisht, me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, që deklaroi të mërkurën mbrëma:

“Jemi pajtuar për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate shqetësuese dhe të tmerrshme sonte.”

Një armëpushim i ri u shpall të mërkurën nga Qeveria siriane dhe udhëheqës të komunitetit druzi, ndërkohë që forcat qeveritare kanë filluar tërheqjen nga qyteti i Suveidës. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse marrëveshja do të respektohet, pasi sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Kriza nisi pas përleshjeve midis fiseve sunite beduine dhe fraksioneve të armatosura druzi, me rrëmbime dhe sulme hakmarrëse që më pas u përshkallëzuan në përplasje mes forcave qeveritare dhe druzi në jug të vendit.

Sekti druzi, një degë e hershme e Islamit shiit e lindur në shekullin e 10-të, përbën një pakicë të rëndësishme në Siri. Më shumë se gjysma e afërsisht 1 milion druzëve në botë jetojnë në Siri, ndërsa pjesa tjetër në Liban, Izrael dhe Rrafshnaltën e Golanit, që Izraeli e mori nga Siria në vitin 1967 dhe e aneksoi në 1981.

Viktima të shumta janë raportuar, por të dhënat mbeten të paqarta. Ndërsa Ministria e Brendshme siriane kishte raportuar për 30 viktima të hënën, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britaninë e Madhe, tha se deri të mërkurën janë konfirmuar mbi 300 të vdekur, përfshirë katër fëmijë, tetë gra dhe 165 ushtarë apo pjesëtarë të forcave të sigurisë.