Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, sipas konfirmimit të prokurorit të rastit, Admir Shala, për portalin Telegrafi. Hetimet janë pjesë e një aksioni më të gjerë që përfshiu bastisje në katër lokacione të ndryshme, të cilat janë kryer me urdhër të Prokurorisë.
Përveç ministrit Peci, është marrë në pyetje edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha. Ai është intervistuar në lidhje me të njëjtin rast që lidhet me dyshimet për keqpërdorime në procesin e tenderimit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Bastisjet e ditës përfshinë edhe Ministrinë e Bujqësisë, selinë e AUV-it, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe lokacionin e kompanisë që ka përfituar kontratën shumëmilionëshe.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për rezultatet e bastisjeve apo për hapat e mëtejmë ndaj zyrtarëve të përfshirë.