Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë në të cilën ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi, duke theksuar në mënyrë të veçantë diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë.
Në raportin mbi progresin e Serbisë për vitet 2023 dhe 2024, eurodeputetët evidentojnë një sërë shkeljesh të të drejtave të pakicave, përfshirë mungesën e arsimimit në gjuhën amtare, mungesën e teksteve shkollore dhe të mësuesve për komunitetet pakicë.
Pika 46 e rezolutës thekson se mbrojtja e të drejtave të pakicave në Serbi ekziston vetëm në formë, jo në përmbajtje, dhe nënvizon se diskriminimi ndodh në mënyrë sistematike në fusha si liria e shprehjes, qasja në informacion dhe hetimi i krimeve të urrejtjes.
Një nga shqetësimet kryesore të theksuara në rezolutë është pasivizimi i adresave të mijëra shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që është cilësuar si zbatim arbitrar dhe kufizues i ligjit për qëndrimin e përhershëm dhe të përkohshëm. Ky veprim, sipas vlerësimeve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përbën një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, deklaroi se numri i madh i adresave të pasivizuara tregon për një strategji selektive ndaj shqiptarëve, me arsyetimin se ata nuk kanë jetuar për një periudhë të caktuar në shtëpitë e tyre, duke u mohuar kështu qasjen në shërbime bazë shtetërore.
“Ne presim që përtej raportimit dhe evidentimit të shkeljeve, të ketë veprime konkrete nga Bashkimi Evropian që do të çojnë në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Serbi, sidomos të shqiptarëve në Luginën e Preshevës,” theksoi Mustafi.
Rezoluta i bën thirrje Serbisë të sigurojë të drejtat themelore për të gjitha pakicat, përfshirë përdorimin e gjuhës dhe emrave të tyre, përfaqësimin në nivel qendror dhe lokal, si dhe arsimimin në gjuhën amtare. Respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare mbetet një nga kushtet themelore për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
