Parlament pa punë, paga pa fund: Kuvendi u shpërnda me bilanc skandaloz!

Para 6 muaj

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e shpërndarë të enjten nga presidentja, mbyllet me një bilanc zero: asnjë ligj i miratuar, asnjë anëtar bordi i zgjedhur, asnjë çështje e trajtuar dhe asnjë mbikëqyrje e kryer. Pavarësisht mungesës totale të punës, ish-deputetët u paguan që nga prilli – kur u betuan – dhe një pjesë e tyre do të vazhdojnë të marrin kompensim kalimtar.

Edhe legjislatura e tetë kishte ndalur punën para kohe, në dhjetor 2024, duke lënë të pavotuara një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, përfshirë ato me Bashkimin Evropian që do t’i mundësonin Kosovës të përfitonte deri në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes.

Në rrethanat aktuale, vendi rrezikon të qëndrojë pa vendimmarrje parlamentare për disa muaj, deri pas konstituimit të legjislaturës së dhjetë që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, paralajmëron se pasojat e këtij viti politik “tashmë janë të pariparueshme”. Ai thotë se vendi hyn në vitin 2025 me rreziqe serioze: pa buxhet të miratuar për muajt e parë, pa marrëveshjet e Planit të Rritjes së BE-së, pa buxhet për RTK-në dhe pa buxhet funksional për katër komunat që duhet të financohen për vitin e ardhshëm.

Një tjetër shqetësim madhor është edhe ndikimi në 17 agjenci me borde jofunksionale, si dhe rreziku që Gjykata Kushtetuese të mbetet pa kuorum, çka do ta paralizonte vendimmarrjen e saj.

Vendimet e fundit të Kuvendit datojnë nga fillimi i dhjetorit 2024 – shumica prej tyre ende nën shqyrtim në Kushtetuese. Ndërkohë, monitorimet e vitit 2024 tregojnë një performancë të dobët: rreth 35% e seancave ishin ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.